Karvani i Shkrimtarëve të Luginës përfundoi rrugëtimin e tij poetik

Bujanoc, 23 Tetor 2018 – Karvani i Shkrimtarëve të Luginës së Preshevës në vazhdën e turneut të tij tradicional përfundoi manifestimin e tij letrar në rrugëtimin e tij poetik në komunën e Bujanocit.

Manifestimi tradicional letrar i Karvanit të Shkrimtarëve të Luginës së Preshevës ka nisur rrugëtimin e tij të martën, duke e sensibilizuar opinionin e fëmijëve për krijimtaritë e tyre letrare dhe për të nxitur kureshtjen e fëmijëve, që sado pak t’u japë jetë aktiviteteve të tyre në fushën e krijimtarisë letrare.

Në komunën e Bujanocit, “Karvani i Shkrimtarëve të Luginës”, organizoi tri orë letrare dhe atë në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në të dy ciklet shkollore dhe në shkollën e mesme “Sezai Surroi”.

Interesimi i nxënësve për ta dëgjuar fjalën e bukur artistike ishte në nivelin e duhur. Pati lexime nga poetët e pranishëm të cilët recituan dhe lexuan krijimet e tyre për fëmijët: Bilall Maliqi, Demush Berisha, Halim Hasani, Nehat Ramizi dhe Xhahit Ramadani.

Edhe nxënësit e të dy ndërrimeve të shkollës fillore “Naim Frashëri” recituan poezi të mësuara përmendësh gjatë procesit edukativo arsimor.

Orën letrare të ciklit të lartë të po kësaj shkolle e përcolli edhe ekipi i RTV SPEKTRI.

Në shkollën e mesme “Sezai Surroi” anëtarët e ”Karvanit të Shkrimtarëve të Luginës” lexuan poezitë e tyre para nxënësve të cilët treguan zell dhe interesim të madh për t’i dëgjuar poezitë e poetëve të pranishëm, si dhe disa nxënës të zellshëm të po kësaj shkolle lexuan poezi dhe ese të tyre para poetëve të pranishëm: Hylja Ahmeti profili i mjekësisë, lexoi poezi, Besjana Fejzullahu, po ashtu profili mjekësi, lexoi ese, Dafina Azizi, nxënëse e gjimnazit, lexoi ese dhe Albina Avdili, po ashtu nxënëse e gjimnazit, lexoi një ese.

Do theksuar se me këto tri orë letrare të mbajtura në këto dy shkolla të komunës së Bujanocit, Karvani i Shkrimtarëve të Luginës përfundoi turneun e tij poetik për vitin kalendarik 2018, theksoi në fund poeti, Bilall Maliqi – kryetar, duke u shprehur se “Qëllimi i këtij karvani është të sensibilizoj opinionin e fëmijëve për krijimtaritë e tyre, si dhe të nxisë kureshtjen e fëmijëve, që t’i japë jetë aktiviteteve të tyre në fushën e krijimtarisë letrare”.

Metali Krasniqi

Shpërndaje në: