Kremtohet 50 vjetori i themelimit të shkollës tonë

Bujanoc, 9 maj – Me një sërë aktivitetesh dhe manifestimesh të ndryshme kulturo-artistike të organizuar nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore, të mërkurën, më 9 maj në Shtëpinë e Kulturës është shënuar Dita e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc. 
Në këtë vit shkollor gjysmëshekullor me moton “50 vjet Arsim” shkolla e mesme “Sezai Surroi” festoi 50 vjetorin e themelimit të paraleleve të para me mësim në gjuhën shqipe dhe 45 vjetorin e pavarësimit të shkollës së mesme nga gjimnazi “Skënderbeu” i Preshevës.
Përveç nxënësve, mësimdhënësve, kryetari i komunës, Shaip Kamberi, lideri i KNSH-së, Shukri Ymeri dhe përfaqësues të Këshillit Koordinues në këtë solemnitet morën pjesë edhe veteranë të arsimit, njëherësh disa dhe themelues të kësaj vatre arsimore.

Me këtë rast, të shënimit të kësaj dite gjysmëshekullore të vatrës së diturisë së arsimit, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, para të pranishmëve në këtë manifestim, duke elaboruar për sakrificat, të arriturat dhe historikun në retrospektivë të kësaj shkolle, falënderoi të gjithë mësimdhënësit veteranë që kontribuuan me dëshirën më të madhe në hapjen e kësaj vatre të diturisë, që nga formimi i kësaj shkolle, e gjerë tek arritjet e suksesshme në edukimin e gjeneratave me radhë, deri në ditën e sotme.

Drejtori i shkollës, Zejni Fejzullahu theksoi se “të jetë një ditë e rëndësishme kjo e sotmja pasi që në ditën e Evropës më 9 maj dhe në ditën e qytetit të Bujanocit, feston edhe shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, duke shënuar këtë vit kështu ditën gjysmëshekullore të këtij institucioni të mesëm arsimor me mësim në gjuhën shqipe.

Fejzullahu në fjalimin e tij përshëndetës rikujtoi kontribuuesit e kohërave të vështira gjatë hapjes së kësaj shkolle – vatrës së diturisë duke shprehur njëherësh dhe mirënjohje të thellë për veteranët e arsimit dhe themelues të vatre të diturisë që disa edhe nuk janë më në mesin tonë.
“Sot në mesin tonë gjenden profesorët e gjeneratës së parë të cilët vendosën themelet e shkollimit te mesëm në Bujanoc dhe falë tyre dhe shumë të tjerëve, janë shkolluar gjenerata e gjenerata të tëra”, theksoi Fejzullahu, duke elaboruar më tej se “gjatë kësaj periudhe kemi pasur shumë peripeci. Më së vështiri e kanë pasur ata që i vuan themelet e arsimit shqip në këto hapësira. Në fillim ka munguar objekti shkollor, kuadri arsimor vendor, mirëpo vullneti ka qenë i madh ku si rezultat suksesi ka qenë i plotë”.
Ne sot e kemi shumë më lehtë, shtoi Fejzullahu sepse kemi kuadër vendor në përqindje të lartë, kemi objektin shkollor me standarde bashkëkohore, por na duhet vullneti i gjeneratave të para për të qenë më të suksesshëm.
“Gjatë këtyre viteve nga shkolla jonë kanë dalë kuadro të lëmenjve të ndryshme të cilat kanë vazhduar studimet dhe kanë arritur suksese në shumë lëmenj”, thekson Fejzullahu, duke përshkruar rezultatet e kësaj vatre arsimore: “Nxënësit tanë kanë treguar rezultate të mira si pjesëmarrës në gara qoftë komunale apo rajonale, si dhe studentët që shkollën e mesme e kanë kryer në Bujanoc, po tregojnë rezultate të kënaqshme nëpër fakultete të ndryshme ku janë duke studiuar”.

“Shkolla është pajisur me mjete të ndryshme kabinetike dhe nëpër paralele me vlerë mbi 1 milion dinarë, ku synimi ynë është të sigurojmë kabinetet e biologjisë, fizikës dhe kimisë”, theksoi më pas Fejzullahu duke shtuar se “Shkolla jonë është e vetmja në rajon e cila e ka mundësinë që mësimin në çdo paralele ta zhvillojë me mjete moderne”.

Në fund Fejzullahu diskutimin e tij e përmbylli me moton: Njeriu merret me dituri dhe shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim, ndërsa në pleqëri i mëson të tjerët. (S. Frashëri).

Me anë të një telegrami urimi edhe Hadije Morina – Surroi, motra e personalitetit që mban emrin shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc për kremtimin e 50 vjetorit përshëndeti me rastin gjysmëshekullor të Ditës së Shkollës sonë.

Në telegram shkruhet: Të nderuar të pranishëm, ju përshëndes të gjithëve përzemërsisht. Sot, nuk mundem me qenë bashkë me ju, me u gëzua për punën dhe rezultatet që paraqiten. Kënaqësi është me e pa angazhimin e anëtarëve të kolektivit të shkollës që me sinqeritetin më të madh dëshirojnë mirëvajtjen e çdo pune të paraparë me rastin e ditës së shkollës e veçanërisht festimit jubilar. Kjo do të më mungon. Vite me radhë janë bërë përpjekje të shumta që të formohet një shkollë e mesme në Bujanoc. Arsyetime e dokumente të ndryshme janë përgatitë e paraqit nga shërbimet përkatëse të komunës, por pengesat kanë qenë të shumta për ta realizuar këtë të drejtë. Dëshira e madhe e patriotëve, me këmbëngulje këtë nevojë e aktualizonte dhe, më në fund, u realizua. 9 Maji është data më e përshtatshme për të festuar ditën e shkollës, sepse është data e fitores së madhe kundra fashizmit, por njëkohësisht edhe fitore e madhe për këtë qytet, Bujanocin.

Puna e palodhshme e juaja, arsimtarë e nxënës të dashur, që keni pasur durim e vullnet të punoni në kushte të pavolitshme, në fillim, e ma vonë edhe në këto shumë të mira, si i keni tani, ka prurë deri në atë që kjo shkollë të bëhet tempull i arsimit e i kulturës në këtë trevë. Shumë gjenerata janë aftësuar dhe me sukses ndikojnë në krijimin dhe realizimin e një jete më të lumtur, duke lërë prapa ekonominë e pazhvilluar dhe prapambeturin kulturore. Por lufta për përparim e zhvillim duhet të vazhdoj, të jetë e përhershme, duhet shkuar me rrjedhat e kohës, duke begatuar jetën me pozitivitet si në mendime, ide e propozime krijuese në punë e jetë dhe në aktivitete të ndryshme shkollore e shoqërore. Për këto na obligon djersa dhe gjaku i luftëtarëve dhe i dëshmorëve që i derdhën për një jetë më të lumtur. Në këtë punë të rëndësishme dhe fisnike ju dëshiroj punë të mbarë e suksese të përhershme, shkruhet në fund të telegramit të zonjës, Hadije Surroi-Morina. 

Ndërsa kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi gjatë fjalimit të tij i përshëndeti të gjithë të pranishmit, si edhe ua uroi ditën gjysmëshekullore shkollës së mesme “Sezai Surroi” duke përshkruar problemet e shumta në fushën e arsimit të cilat i kishin gjeneratat e para të kësaj shkolle si dhe vështirësitë të cilat janë prezente edhe sot të kësaj vatre të diturisë.

Por këtë manifestim jubilar gjysmëshekullor e begatoi edhe piktori Xhevdet Dulaj me punimin artistik për nder të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Piktori dhe artisti Xhevdet Dulaj me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe 50 vjetorit të Ditës së shkollës së mesme ”Sezai Surroi”, në Bujanoc, ka pikturuar figurën e heroit kombëtar Skënderbeu.

Profesori i artit Xhevdet Dulaj punimin e tij e ka vendosur në korridorin e shkollës së mesme “Sezai Surroi ”, në Bujanoc ku dhe punon si profesor i kulturës së artit. 

Për të bërë edhe më të begatë kremtimin e ditës së kësaj vatre të diturisë, nxënësit e kësaj shkolle shpalosën një program të begatshëm kulturo-artistik, program i cili filloi me korin e shkollës që ishte organizuar nga profesori i muzikës në bashkëpunim me nxënësit e kësaj shkolle, për të vazhduar më pas me një shfaqje teatrale me këngë e poezi enkas për këtë ditë jubilare gjysmëshekullore.

Do theksuar se përveç programit kulturo-artistik që u shfaq nga nxënësit e kësaj shkolle, enkas për këtë festë u ndan edhe disa mirënjohje për kuadrin nismëtar të kësaj shkolle, si dhe për personalitete që kanë kontribuuar dhe ndihmuar që kjo shkollë të mbijetoj deri në ditët e sotme.

Në jubileun e festimit të 50 vjetorit të themelimit të shkollës së mesme në Bujanoc nga drejtori i shkollës, Zejni Fejzullahu u ndanë këto mirënjohje: Shaban Xheladini si koordinator i parë, Mejdi Rufati, si drejtor i parë, Nagip Arfi dhe Shaip Kamberi si kontribuues në ndërtimin e shkollës, Nijazi Bektashi dhe Hadie Morina si meritorë për pavarësimin e gjimnazit, të gjithë veteranët e gjeneratës së parë, nga Bujanoci, Presheva dhe Kosova, si dhe në veçanti Mirënjohje i është ndarë edhe Jonuz Musliut, si bashkëpunëtor shumëvjeçar i imi, si dhe si veprimtar dhe luftëtar i lirisë dhe i çështjes kombëtare.

Përgaditi: Metali Krasniqi

 

Më poshtë mund të shihni një galeri të fotografive nga kremtimi i 50 vjetorit të themelimit të shkollës tonë.

Shpërndaje në: