Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks“ mbajti një orë letrare në shkollën tonë

Në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” ka mbajtur të martën, më 24 tetor, një orë letrare përkushtimore, kushtuar poetit Qerim Arifit, emblemë e poezisë shqipe të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.

Në këtë orë letrare të veçantë morën pjesë dhe lexuan poetët e “Karvanit të shkrimtarëve të Luginës”, të cilët lexuan poezitë përkushtimore për poetin Qerim Arifi, të cilat ishin të botuara në antologjinë poetike të Luan Malokut me titull “Lartësia e një jete”.

Në këtë eveniment me rëndësi poetike, morën pjesë poetë nga tri komunat tona dhe dy mysafirë nga Gjilani, shkrimtarët Hysen Këqiku dhe Mehmetali Rexhepi. Ndërsa nga poetë e Luginës morën pjesë dhe lexuan: Bilall Maliqi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, Rexhep Abazi zv. kryetar, Nehat Ramizi, Avni Shaqiri, Halim Hasani dhe Jalldëze Kasumi.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, Bilall Maliqi duke i njoftuar nxënësit e shkollës së mesme me historikun e kësaj shoqate theksoi se në kuadër të kësaj shoqate është formuar edhe karvani i shkrimtarëve të Luginës i cili tubon në vete poetë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, ku si moto të tyre krijuesit e Luginës të kenë “Kultura na bashkon”.

Poeti Maliqi, më tej theksoi se ne kemi përkushtim që të nxisim kureshtjen tek nxënësit, të nxisim kureshtjen tek lexuesi që të merren edhe me aktivitete të tjera jashtë shkollore, duke i porositur njëkohësisht nxënësit që të kërkojnë librat e Qerim Arifit nëpër biblioteka me qëllim të njohjes me krijimtarinë e poetit, sepse nxënësit nuk e njohin ketë poet me vlerë të lartë artistike.

Meqenëse sipas Maliqit orët letrare kanë karakterin edukativ, ne besojmë fuqishëm theksoi ai, që t’ia kenë arritur qëllimit që ta sensibilizojmë kulturën letrare edhe tek nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Luginë të Preshevës.

Në fund të orës letrare, kryetari Maliqi, nderoi shkollën e mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc me një mirënjohje në shenj bashkëpunimi me këtë vatër arsimore.

Do theksuar se Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” me seli në Preshevë përveç mbajtjes të orëve letrare ajo merret edhe me përurime librash që botohen nga kjo shoqatë.

Biografia e Qerim Arifit

Qerim Arifi u lind në Preshevë, më 22 shkurt 1946. Shkollimin fillor e kreu në Preshevë, kurse shkollën Normalen dhe Fakultetin Filozofik (Dega e gjuhës angleze ) në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar në arsim, por pjesën më të madhe të punës së vet e ka bërë si gazetar në revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë.

Me poezi ka filluar të merret që nga rinia e hershme. Është marrë edhe me përkthime. Punimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.Është i përfaqësuar në shumë antologji dhe libra me biografi të shkrimtarëve. Vdiq në Prishtinë në vitin 1990.Veprat: “Kujtime” – 1970, “Nokturno” – 1983, “Mbyllur në urnë” – 1987, “Fatamorganë” – 1984,”Rekuiem për kalanë”- Preshevë, 1988.

Shpërndaje në: