Sot shënohet një moment i veçantë dhe plot emocione për shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, me pensionimin e profesor Begzad Aliut, një figurë e shquar e arsimit.

Prof. Begzad Aliji
Inxhinier i diplomuar i makinerisë
Prof. Begzad Aliji i lindur më 20 dhjetor 1959 në Tërnoc, ndoqi shkollimin fillor në vendlindje dhe përfundoi arsimin e mesëm në Bujanoc. Dashuria për dijen dhe pasioni për shkencën e makinerisë e drejtuan atë drejt Universitetit të Prishtinës, ku në dhjetor të vitit 1988 diplomoi si inxhinier i makinerisë.
Pas përfundimit të studimeve, ai iu përkushtua arsimit, duke u bërë pjesë e stafit të shkollës sonë si mësimdhënës në drejtimin e makinerisë. Për më shumë se tre dekada, profesor Begzadi jo vetëm që ndau njohuritë e tij teknike me qindra nxënës, por gjithashtu u bë model i përkushtimit dhe profesionalizmit për të gjithë ata që patën fatin ta njohin.
“Puna në arsim nuk është aspak e lehtë,” thotë profesor Begzadi, “por është një kënaqësi e veçantë të shohësh rezultatet e punës shumëvjeçare në sukseset e brezave që kemi udhëhequr.” Këto fjalë përmbledhin në mënyrë të përkryer shpirtin dhe dedikimin e tij ndaj misionit fisnik të edukimit.
Drejtoria dhe kolektivi i shkollës “Sezai Surroi” e falënderojnë nga zemra për vitet e shërbimit të përkushtuar dhe për ndikimin e tij të pashlyeshëm në formimin e brezave të rinj. Profesor Begzadi do të mbetet gjithmonë një shembull frymëzues për të gjithë ne dhe për brezat e ardhshëm.
Me rastin e pensionimit, i urojmë shëndet, lumturi dhe një jetë të qetë e të mbushur me momente të bukura pranë familjes dhe të dashurve. Puna dhe kontributi juaj do të mbesin të paharruara.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë,
Drejtoria dhe kolektivi i shkollës së mesme “Sezai Surroi”
Nga shërbimi i shkollës.





