Orë mësimore në Kosovë me lokalitetet dhe vendet e historisë sonë mijëvjeçare

Vikendi i kësaj jave ishte shumë i vlefshëm për nxënësit e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe të Medvegjës, të cilët vizituan vendet me histori nga e kaluara më e hershme Ilire-Dardane, Memorialin Adem Jashari dhe qytetin e Lidhjes së Prizrenit. 
Ky organizim shumë efektiv u organizua dhe u realizua nga Koordinatori Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, z. Rexhep Hoti. Guida e vizitave ishte shumë e qëlluar sepse ishin nxënësit e shkollave të mesme të Luginës. 
Ata gjatë vizitës së Memorialit Adem Jashari u njoftuan nga ciceroni rreth historikut të ngjarjeve heroike të familjes Jashari me çka nxënësit u ndjen të emocionuar dhe krenarë për qëndresën dhe flijimin e kësaj familje për lirinë e sotme të Kosovës. 
Agjenda e radhës ishte takimi me kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i cili me një ngrohtësi të thellë vëllazërore përshëndeti nxënësit duke i dëgjuar dhe inkurajuar rreth realizimit të synimeve të tyre, por edhe durimin për të gjitha brengat aktuale. Gjithashtu vlen të ceket se në ambientet e kryeministrisë u shtrua një drekë për nxënësit. 
Vizita e radhës ishte lokalitetit arkeologjik Iliro–Dardan, qyteti Ulpiana në afërsi të Prishtinës ndërsa nxënësit e udhëhequr nga organizatori dhe profesori i historisë u njoftuan për zhvillimin dhe rëndësinë e këtij qyteti të rëndësishëm gjatë periudhës sunduese romake. Të magjepsur nga ky qytet largohemi dhe i drejtohemi qytetit të Prizrenit, qytetit ku shqiptarët morën vendime dhe aktivitete shumë të rëndësishme historike duke themeluar organizatën e parë politike-ushtarake, Lidhjen e Prizrenit. 
Pas arritjes në Prizren iu drejtuam kompleksit të Lidhjes së Prizrenit në të cilin nxënësit u njoftuan dhe shikuan një mori artefaktesh historike dhe burime të shkruar të kësaj periudhe të lavdishme shtet-formuese të historisë shqiptare, njëherësh nxënësit treguan pietet ndaj busteve të udhëheqësve dhe protagonistëve të Lidhjes së Prizrenit. Pas përmbylljes së këtij aktiviteti të pasur dhe dobiprurës morëm rrugëtimin drejt qyteteve tona duke e realizuar një orë historike të periudhave të ndryshme kohore.

Muhamed Jashari

Shpërndaje me: