Numri i ri i revistës shkollore “Zgjimi Rinor”

Pas një kohe relativisht të gjatë më në fund erdhi numri i radhës i revistës sonë shkollore. Arsyet e vonesës qëndrojnë me të vërtetë, pasi që kjo revistë ka përfshirë në të kaluarën nxënës dhe profesorë të cilët kanë kaluar nëpër hapësirat e shkollës tonë dhe kështu kanë lënë gjurmët e tyre edhe në këtë revistë. Sigurisht se ndër vështirësitë më të zakonshme me të cilat ballafaqohemi si redaksi janë zëvendësimi i nxënësve kontribuues të revistës të cilët largohen nga bankat shkollore dhe vazhdojnë shtegtimin e tyre jetësor, ndërsa edhe më vështirë është kur largohen profesorët të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të pamohueshëm. Për më tepër, ata kanë qenë bashkëthemelues, pagëzues dhe shtyllë e kësaj reviste. Megjithatë, pasi që ishim me fat që t’i kemi, ne i detyrohemi atyre që të vazhdojmë me po aq zell dhe të krijojmë hapësirë për gjeneratat në vijim që të krijojnë dhe të zhvillojnë personalitet e tyre duke shprehur mendimin dhe idetë me një qëllim – avancimin dhe shtimin e njohurive në shkollën tonë.

Në këtë numër kemi inkuadruar disa punime dhe aktivitete të nxënësve nga viti i kaluar, kështu që në nënshkrimet e tyre mund të jenë të paraleleve nga viti i kaluar. Kështu është vendosur për shkak të autenticitetit të punimeve. Gjithashtu energjitë e reja të inkuadruara vërehen qartë tek punimet aktuale. Shpresojmë se individë të ri të inkuadruar do të na ndihmojnë edhe në të ardhmen, e gjithashtu mirëpresim edhe shumë të tjerë me vullnet të mirë.

Për shkak të gjendjes aktuale të shkaktuar nga virusi korona dhe pamundësisë që ta shtypim revistën tonë, të njëjtin numër do ta publikojmë vetëm në formatin online.

Nga Redaksia

Shpërndaje në: