Bujanoc, 9 maj — Ndonëse më parë, për më se gjysmë shekulli — Dita e shkollës sonë është shënuar me sërë aktivitetesh dhe manifestimesh të ndryshme kulturo-artistike të organizuar nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore — tempulli i diturisë, këtë vit për shkak të shfaqjes së pandemisë së virusit Covid-19, i cili i shtriu kthetrat e tij në tërë globin, por edhe në rajonin tonë, na pamundësoi ta festojmë solemnisht.
Do theksuar se 9 maji — Dita e shkollës sonë është një ditë e rëndësishme ngase konsiston me 9 majin ditën e Evropës dhe me ditën e qytetit të Bujanocit. Shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, shënon këtë vit 52 vjetorin, Ditën më se gjysmëshekullore të tempullit të dijës, të këtij institucioni të mesëm arsimor me mësim në gjuhën shqipe.
Me këtë rast, të shënimit të kësaj dite më se gjysmëshekullore të tempullit të dijës dhe të vatrës së diturisë së arsimit, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, theksoi se sivjet është rast i veçantë i festimit të ditës së shkollës, ngase kjo epidemi botërore – Pandemia e coronavirusit ka paralizuar gjithë botën”.
“Shkolla jonë tani më ka bërë një traditë në ecjen e proceseve përpara”, theksoi Fejzullahu, duke shtuar se “në këtë vit të veçantë, në kohën e pandemisë me virusin COVID-19, gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, personeli arsimor ia arriti që të zhvillojë procesin edukativo-arsimor me metoda të reja, domethënë organizimin e mësimit në distancë”. “Këtë vit, në 52 vjetorin e fillimit të mësimit në këtë vatër arsimore, përkatësisht 49 vjetorin e pavarësimit të shkollës nga gjimnazi i Preshevës, mësimin e përcjellin 859 nxënës, të shpërndarë në 34 paralele, me 138 punëtorë, prej të cilëve 104 punojnë drejtpërdrejtë në procesin edukativo-arsimor”, tha në fjalën e tij, Fejzullahu.
“Presim që këtë vit të jashtëzakonshëm ta përfundojmë me sukses”, theksoi në fund Fejzullahu, dhe shtoi: “Maturantët të përfundojnë me kohë shkollimin e mesëm, ashtu që të kenë kohë për orientime profesionale të mëtutjeshme”.
Përgaditi: Metali Krasniqi
Urimet për ditën e shkollës
