Me rastin e 136 vjetorit të Shkollës së Parë Shqipe dhe Ditës së Mësuesit
Të nderuar e të respektuar mësues, gëzuar 7 Marsin – Ditën tuaj (1887- 2023)
- Nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri”, të udhëhequr nga Musa Gjimshiti, profesor i kulturës muzikore, hapën programin me këngën e alfabetit shqip.
- Programin e udhëhoqi Blendina Salihu.
- Anesa Latifi recitoi poezinë e Naim Frasheri “Korça”.
- Blenda Salihu recitoi poezine Gjergj Fishta “Gjuha shqype”.
- Iliriada Rashiti – performance ne piano.
- Zejni Fejzullahu pati një fjalë rasti, i cili potencoi rëndësinë e kësaj date historike, duke u ndërlidhur me gjendjen e arsimit shqip në ditët e sotme.
- Xhahid Ramadani, veteran i arsimit, foli për kushtet në të cilat punon shkolla jonë dhe dha një mesazh të qartë për gjeneratat e reja.
- Metali Krasniqi, profesor i gjuhës shqipe, paraqiti ekspozeun me rastin e festës së ditës së mësuesit.
Historia e arsimit paraqet një ndër aspektet më të rëndësishme të historisë sonë, ku rol të veçantë dhe të pazëvendësueshëm luajti Lëvizja e Rilindjes sonë Kombëtare, epoka më e ndritshme e historisë shqiptare që nga shekulli XIX.
Sot, 7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në të gjitha trojet tona shqiptare – Dita më e ndritshme e shqiptarisë – amanet i rilindësve të cilët shkollën e patën mision të parë, si shpresë të dritës, të lirisë e të pavarësisë!
Në këtë ditë ne të gjithë së bashku kujtojmë mësuesit tanë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, dhe na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun.
“Bejlerë, vritmëni, po ma ruani gjakun se do t’u duhet nipërve tuaj, të shkruajnë gjuhën shqipe”, pati porositur atë botë, Petro Nini Luarasi
Ndaj dhe pa arsim nuk ka ardhmëri!
Përfundimet e luftërave nënshkruhen me laps! Prandaj ,,Lapsi është më i fortë se topi, ndaj dhe e ardhmja është e mësuesit, e jo e gjeneralëve”, (Viktor Hygo).
Në trojet shqiptare institucionet arsimore dëshmohen mjaft vonë për shkak të rrethanave të vështira historike, në të cilat populli shqiptar u arsimua përmes sistemit tradicional të edukatës popullore nga mësimet që merreshin nga shkollat e vendit dhe të huaja.
Ndërkaq, një grup shkollarësh ra në kundërshtim me idetë shkombëtarizuese dhe formoi
Programin e Rilindjes Kombëtare.
Me këtë program parashihej edhe arsimimi i popullit shqiptar për ndërgjegje, duke luftuar përçarjen fetare e duke favorizuar çështjen kombëtare. Kështu, mësimi shqip në trojet shqiptare filloi të përhapet në fund të viteve të 60-ta të shek. XIX, duke marrë një zhvillim të hovshëm, sidomos pas Lëvizjes Shqiptare të Prizrenit (1878).
Dritë me qiririn e Naimit
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u angazhua në fushën e krijimit të shoqërive kulturore e atdhetare në kolonitë shqiptare të mërgimit, për përdorimin e Alfabetit të Stambollit, e sidomos për hapjen e shkollave shqipe.
Kështu, më 7 Mars 1887 në Korçë, u hap Shkolla e Parë Shqipe, në shtëpinë e Diamandi Tarpos, anëtar i shoqërisë “Drita”, ku mësues dhe drejtor i parë qe Pandeli Sotiri.
Duke parë në këtë kontekst, hapja e kësaj shkolle dhe e shumë shkollave tjera në mbarë vendin, nuk ishte gjithashtu rastësi, por fryt i përpjekjeve për shkollën dhe arsimin shqip i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Hapja e kësaj çerdheje shkollarësh, kishte rëndësi të madhe historike, kulturore dhe politike, për jetën dhe të kaluarën e popullit shqiptar.
Hapjes së Shkollës së Parë Shqipe i ndihmoi shumë shoqëria “ D r i t a” e Bukureshtit, e cila luajti rol shumë të madh në botimin e teksteve shkollore, që brenda viteve 1886-1888 i botoi tekstet e Naim e Sami Frashërit, Jani Vretos, Gaspër Benushit e Javor Lazër Tërnovës.
Me hapjen e kësaj shkolle, me dritën e qiririt të Naimit, filluam ta njohim njëri-tjetrin e t’i shohim të tjerët. Ky sukses qe një kurorë e përpjekjeve të përbashkëta të shoqërive atdhetare të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit e të Shoqërisë Qendrore të Stambollit.
Pandeli Sotiri, mësues nga Selecka e Gjirokastrës, përveç detyrës së drejtorit jepte edhe shumë lëndë: shkrim-lexim shqip, gramatikë shqipe, histori, gjeografi, aritmetikë e dituri natyre, ndërsa prej gjuhëve të huaja mësoheshin: osmanishtja, greqishtja dhe frëngjishtja.
Shoqëria e mësimit shqip në Korçë, e cila doli nga Komiteti Kombëtar i Fshehtë i Korçës, e kishte për detyrë ta mbrojë shkollën e Korçës dhe shkollat e tjera shqipe nga kisha greke dhe organet e pushtetit osman, nga se siç thotë vetë Hysni Myziri: “Lufta për shkollën e shkrimit shqip ishte një luftë për vetë ekzistimin e popullit shqiptar”.
Ndaj dhe nuk do të harrohen dot; Sotiri e Negovani, Luarasi, Naçe e Avrami, Naim e Sami Frashëri, Gjerasim e Sevasti Qirazi…. Dheu i mbuloi, por historia nuk i harroi e nuk do t’i harrojë për jetë e mot.
Përkundër kësaj u zhvillua veprimtari armiqësore kundër shkollës shqipe në gazetat greke “Neologos”, që atëherë dilte në Stamboll. Kështu, për shkak gjetjes së një arke me libra shqipe nga policët osmanë u dogj për së gjalli Gjokë Shqiptari i Pleshishtit të Potkoshanit të Mokrës dhe kësisoj veprimtarët shqiptarë për emancipimin kombëtar ishin shumë të rrezikuar.
Nuk është rastësi që për hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës, ëndërruan e punuan kolosët e mendimit përparimtarë shqiptarë: Naimi e Samiu, Jani Vreto dhe Vaso Pasha, Pandeli Sotiri dhe dhjetëra e dhjetëra atdhetarë të tjerë.
Ndaj hapja e shkollës së Korçës nxiti një hapje të shpejtë të disa shkollave në tërë vendin. Në Elbasan, Leskovik, Ohër, Ersekë etj, shkollat shqipe lulëzonin njëra pas tjetrës.
Më 1892 u hap shkolla e parë për vajza në Korçë ku mësimet i jepnin Motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, drejtor i kësaj shkolle u emërua Gjerasim Qiriazi, njeri me tipare të larta patriotike.
Okupatori shekullor turk dhe shovinistët grekë bënin çdo gjë për pengimin e këtyre shkollave. Të gjitha shkollat që ishin hapur deri atëherë, pos shkollës së Korçës i mbyllën njërën pas tjetrës. Ata nuk lanë mjet pa përdorur, deri tek atentatet vetëm që shkolla shqipe të mos ekzistojë.
Viktimë e parë e atentateve ndaj shkollës shqipe ra drejtori i Shkollës Kombëtare Pandeli Sotiri i cili nga agjentët grekë vritet në Stamboll më 1891. Shumica e veprimtarëve tjerë u burgosën, kështu që Shkolla Kombëtare e Korçës do ta vazhdojë punën në ilegalitet në drejtimin e Komitetit Kombëtar të Korçës.
Prof. Metali Krasniqi