Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi me shkollën e mesme Osmangazi Şükrü Şankaya nga Bursa e Turqisë

Përfaqësues të komunave dhe shkollave nga Bujanoci dhe Presheva, në intervalin kohor 09-13.10.2023, vizituan qytetin Osmangazi në Bursa, përkatësisht institucionet arsimore, shkollat e mesme dhe fillore si dhe fabrika për prodhimin e makinave dhe pajisjeve.

Qëllimi i vizitës ishte fillimi i bashkëpunimit ndërmjet shkollave nga Lugina e Preshevës dhe atyre nga Bursa si dhe binjakëzimi i katër shkollave nga Bujanoci dhe Presheva me katër shkolla nga Osmangazi në Bursa.

Gjatë qëndrimit në Bursa u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc dhe shkollës së mesme Osmangazi Şükrü Şankaya, e nënshkruar nga drejtoresha e shkollës Şükrü Şenkaya Yeşim Ömeroğlu Ünlü. Shkollën tonë e përfaqësoi Zejni Fejzullahu, i cili ishte inicues i fillimit të projektit sa ishte drejtor i shkollës.

Katër shkolla nga Lugina e Preshevës binjakëzohen me katër shkolla nga qyteti i Bursës, në Turqi, me ndërmjetësimin e pushteteve lokale në Bujanoc dhe Preshevë.
Binjakëzimi u bë me leje të Drejtoratit të Arsimit Nacional të Qarkut të Osmangazit, ku kontribues për realizimin e fillimit të bashkëpunimit është Recep Gündüz, kordinatori i qendrës kulturore të Kosovës në Bursa e cila finansohet nga një kompani e udhëhequr nga Fahrettin Gulener, shqiptar nga Gjilani.

Qëllimi i bashkëpunimit është vizita reciproke e nxënësve dhe personelit arsimor të të dy shkollave si dhe ngritjen e cilësisë së procesit edukativo-arsimor.
Në të ardhmen pritet vizitë e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit nga Bursa dhe përfaqësuesve të atyre shkollave.

Vlenë të ceket se shkolla jonë ka bashkëpunim edhe me shkollat e mesme në Stamboll, ku nxënësit kanë mundësi të shkëmbejnë vizita reciproke me interes të përbashkët.

Nga shërbimi i shkollës.

Shpërndaje në: