Në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, të hënën, është mbajtur një orë letrare në nderim të përurimit të botimit të librit më të ri, përmbledhjen me poezi “Më jep një ëndërr”, të poetes së mirënjohur Sadije Alitit nga Tetova, të cilin enkas e ka promovuar në shkollën tonë.
Në këtë orë letrare të veçantë, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Zejni Fejzullahu, si nikoqir i këtij evenimenti me rëndësi poetike e falënderoi poeten Sadije që ka përzgjedhur shkollën tonë për promovimin e librit më të ri të krijimtarisë së saj.
Ndërkaq, në këtë takim letrar, nxënësit e pranishëm që merren edhe me poezi dhe krijimtari letrare patën rastin t’i lexojnë disa poezi të poetes dhe të shkrimtarëve tanë të shquar, por edhe krijime te veta, me ç’rast poetja Sadije Aliti, i inkurajoi ata që t’i përkushtohen më tepër krijimit të poezisë dhe të nxisin kureshtjen, që të mësojnë dhe të krijojnë pa ngurrim duke afirmuar vlera kulturore, letrare e kombëtare.
Poetja Sadije Aliti, me krijimtarinë e saj poetike është e njohur në të gjitha trojet shqiptare, si dhe në arenën ndërkombëtare me krijimet e saja cilësore, të përkthyera dhe në shumë gjuhë të botës.
Në këtë orë letrare të veçantë, edhe poetët e rajonit tonë, Nehat Ramizi dhe Sevdail Hyseni, folën për krijimtarinë poetike të poetes Sadije Alitit dhe lexuan vargje nga punimet e tyre poetike.
Poetja Sadije Aliti, vizitoi edhe bibliotekën e shkollë sonë, me ç’rast ia dhuroi disa ekzemplarë të titujve të ndryshëm të krijimtarisë së saj poetike.
Biografia
Sadije Aliti është poete e njohur. Ka diplomuar në Universitetin e Shkupit, profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ku edhe ka magjistruar në shkencat e letërsisë. Sadije Aliti më shumë se tri dekada në opinionin e gjerë është e njohur si gazetare, profesoreshë dhe mësimdhënëse e gjuhës shqipe, humaniste dhe aktiviste e sektorit qytetar sidomos në aspektin e fushëveprimit të të drejtave të grave, poete me më se 20 tituj të botuar.
Vargu i Sadije Alitit, komunikon në disa gjuhë të botës, pasi që është e përkthyer dhe botuar, si: sllovenisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, arabisht, anglisht, greqisht, suedisht, maqedonisht, serbisht, rumanisht, maqedonisht, hungarisht, bullgarisht, danezisht, norvegjisht.
Ka marrë pjesë në disa festivale kombëtare e ndërkombëtare si në Slloveni, Turqi, Suedi, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, e të tjerë, ku edhe është e shpërblyer me çmime e mirënjohje të shumta.