Ndërron jetë profesori Hajredin Hyda

Me pikëllim të thellë, morëm lajmin e trishtë të ikjes në amshim të profesor Hajredin Hydës. Lajm i cili na pikëlloi shumë të gjithë kolektivin arsimor të komunës sonë, e veçmas kolektivin e shkollës së mesme “Sezai Surroi”, aty ku ishte duke punuar e arsimuar breza të tërë.

Profesori Hajredin Hyda, mbetet përgjithmonë njeri me vlera, i dashur dhe me zemër të madhe, për të gjithë ata që e njohën dhe kanë pasur rastin të punojnë me profesorin e nderuar, por njëkohësisht ndjehemi krenarë që patëm një mik të tillë, një punëtor arsimor dhe edukator e pedagog të dalluar të arsimit në komunën tonë.

Profesori i nderuar i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Hajredin Hyda, ka ndërruar jetë në agun e mëngjesit të sotëm nga një sëmundje e rëndë, në moshën 58 vjeçare.

Profesori Hajredin Hyda, me zotimin dhe kontributin e tij për vite të tëra dhënë arsimit – vatrës së diturisë së kësaj komune, ka punuar me pasionin më të madh në edukimin e arsimimin e brezave të rinj.

Profesor Hajredin Hyda, do t’i mungojë shumë; si familjes së tij, po ashtu do t’i mungojë shumë edhe të gjithë bashkëqytetarëve dhe të gjithë brezave arsimorë që profesori i nderuar u dha dije duke i mishëruar ata me dashurinë më të madhe për arsimimin dhe edukimin e breznive arsimorë.

Në fund drejtori dhe kolektivi i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, i shpreh ngushëllime më të sinqerta familjes së profesorit, Hajredin Hydës, i cili përveç që ishte një arsimdashës, pedagog dhe edukator shembullor dhe i dinjitetshëm, ishte edhe një aktivist politik dhe atdhetar i madh, një burrë i urtë, besnik dhe intelektual i dalluar dhe i përkushtuar i çështjes së arsimit dhe të interesit kombëtar.

Ndjehemi krenarë me punën dhe veprimtarinë Tuaj arsimore dhe atdhetare profesor i nderuar! Lavdi punës dhe veprës Tuaj!

Zoti të mëshiroftë në botën e amshuar!

Shkolla jonë gjithashtu sot organizoi mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së profesor Hajredin Hydës.

Në prezencën e mësimdhënësve, miqve dhe familjarëve, fjalë rasti mbajtën drejtori i shkollës Zejni Fejzullahu, kolegët Metali Krasniqi, Mirvete Shabani, Enver Ramadani dhe Hisen Saqipi, ndërsa familjari Liridon Hyda falemenderoi të pranishmit për respektin e treguar.

Biografi e shkurtë

Hajredin Hyda (1964 – 2022), lindi më 03.03.1964 në fshatin Letovicë të Komunës së Bujanocit. Shkollën fillore të ciklit të ulët e kreu në Letovicë, ndërsa katër vitet tjera në shkollën fillore ,,Zenel Hajdini’’ në Raincë. Shkollën e mesme e kreu më 1982 QAMO ,,Sezai Surroi’’ në Bujanoc. Më 1983 vazhdoi shkollimin në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe gjuhë shqipe dhe e përfundoi më 1988. Për arsye të papunësisë dhe gjendjes ekonomike u detyrua që brenda 10 viteve në mënyrë periodike të punojë në Zvicër.

Në periudhën 1999- 2001 punoi si përkthyes i gjuhës frënge në Prishtinë, ndërsa më vonë punoi si arsimtar i gjuhës shqipe në vitin akademik 2001-2003 në Corroticë të Preshevës, ndërsa nga 2003-2006 në shkollën fillore ,,Ali Bektashi’’ në Letovicë. Nga viti 2006 punoi si arsimtar i gjuhës shqipe në gjimnazin ,,Sezai Surroi’’ në Bujanoc, ku ishte duke punuar edhe tani. Ishte prind i dy djemve dhe jeton në fshatin e lindjes. Një kohë ka ushtruar funksionin e kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe të ndihmës Kryetarit të komunës. Në katër mandate konsekutive ishte edhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Bujanocit.

Shpërndaje në: