Sot, në një ambient të ngrohtë mes kolegëve, me një koktej rasti plot emocione e kujtime, u shënua pensionimi i një prej figurave më të dashura të shkollës sonë – profesor Metali Krasniqit, profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Për më shumë se tri dekada, profesor Metalia dha shembullin më të lartë të profesionalizmit, saktësisë, korrektësisë dhe përkushtimit në punë. Ai njihej për qetësinë, pedantllëkun dhe batutat e tij të këndshme, që gjithmonë krijonin një atmosferë pozitive në shkollë.
Në çdo orë të mësimit ai përcillte dashurinë për dijen, respektin ndaj nxënësve dhe kujdesin për kolegët. Ishte i drejtë, i urtë dhe gjithmonë i qetë, edhe kur situatat kërkonin vendosmëri e maturi.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij shumëvjeçar, shkolla e shpërbleu me një dhuratë simbolike – një orë dore me logon e shkollës, si kujtim i përhershëm i viteve të punës dhe dashurisë për profesionin fisnik të mësuesit.
Profesor Metalia do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë dhe kujtimeve të bukura të shkollës sonë.
Në emër të gjithë kolektivit, i urojmë pensionim me shëndet të plotë, vite të gjata e të lumtura dhe shumë gëzime me familjen!
Faleminderit profesor për gjithçka!
Kolektivi i Sh.M. “Sezai Surroi” – Bujanoc






