Me rastin e Ditës së mësuesit 7 Marsit, shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, më 6 Mars organizoi një orë letrare përkushtimore për të nderuar të gjithë mësimdhënësit shqiptarë me këtë Ditë të shënuar të historisë së shkollës sonë.
7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjitha trojet tona shqiptare.
Profesorët e gjuhës shqipe dhe dy psikologet e shkollës në bashkëpunim me nxënësit e shkollës sonë përgatitën, të premten, një orë letrare duke shpalosur një program të begatshëm kulturor me ç’rast u lexuan: Historiku për Ditën e mësuesit, disa ese dhe poezi të krijuara nga nxënësit, si dhe poezi të shkrimtarëve të njohur që ia kanë kushtuar kësaj dite të shënuar historike. Do theksuar se gjatë shënimit të kësaj dite të shënuar historike, nxënësja Vlora Veliu, me zërin e saj të bukur e kumbues e përmbylli këtë ngjarje të shënuar duke entuziazmuar të gjithë të pranishmit me këngën “Kur e përcolla ylberin”.
Po ashtu, gjatë shënimit të kësaj dite të shënuar historike nxënëset; Laura Halili (kryetare e parlamentit) dhe Yllka Shabani (moderatore) madhështuan këtë orë letrare me paraqitjen e shkëlqyeshme të tyre. Në këtë orë letrare prezantuan edhe profesorët: Bukurije Boriçi, Halide Vehbiu, Myrvete Shabani, Adelina Bruçaj – Hasani, Esra Aqifi dhe Metali Krasniqi.
Fjalën përmbyllëse të kësaj dite të shënuar historike e mbajti profesoresha e gjuhës shqipe Adelina Bruçaj – Hasani, e cila fillimisht i falënderoi nxënësit me recitimin dhe krijimet e bukura që kishin bërë dhe falënderoi edhe nxënësen Vlora Veliun, e cila me zërin e saj të bukur e kumbues i mahniti të pranishmit.
Bruçaj duke ua uruar mësuesve këtë Ditë historike theksoi: “Urime të përzemërta për të gjithë mësimdhënësit shqiptarë kudo që janë dhe kudo që punojnë”.
Bruçaj një urim të veçantë ua përcolli edhe veteranëve të arsimit: “Urime edhe për veteranët e arsimit të cilët kanë ndërtuar themelet e arsimimit shqip”, duke shtuar se “profesioni i mësimdhënësit është detyrë fisnike dhe e shenjtë”.
Ndaj, në fund të gjithë mësuesve, të të gjitha niveleve të arsimit të shkollës shqipe, kudo që punojnë, ua urojmë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!, në përkujtim të hapjes së Shkollës së Parë Shqipe, më 7 Mars 1887, ngase për të arritur deri te kjo ditë, janë dashur përpjekje e sakrifica të pandërprera ndër shekuj.
Përgaditi: Metali Krasniqi
(Ilustrimi i huazuar nga ueb-sajti bonzo.info)