Shkolla jonë shënon Ditën e Mësuesit – 7 Marsi

Me rastin e Ditës së Mësuesit 7 Marsit, shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, organizoi një orë letrare përkushtimore për të nderuar të gjithë mësimdhënësit shqiptarë me këtë Ditë të shënuar të historisë së shkollës sonë.

7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjitha trojet tona shqiptare.

Kolektivi i shkollës së mesme “Sezai Surroi” nën organizimin e psikologes Bukurije Boriqi dhe në bashkëpunim me nxënësit e shkollës sonë përgatitën, të hënën, një orë letrare duke shpalosur një program të begatshëm kulturor me ç’rast u lexua një historik për rëndësinë e Ditës së Mësuesit, si Ditën më të ndritshme, e më të shenjtë të popullit tonë, si dhe poezi të krijuara nga nxënësit, që ia kanë kushtuar kësaj dite të shënuar historike.

Do theksuar se gjatë shënimit të kësaj dite të shënuar historike edhe nxënësit e shkollës sonë me krijimet dhe paraqitjen e shkëlqyeshme të tyre, madhështuan këtë orë letrare.

Albin Duraku me poezinë “Gëzuar festa mësues”, Anesa Latifi, me poezinë “Ndoshta do të takohemi”, Blendin Hiseni me “Historikun e 7 Marsit”, Arbenita Zylfiu – vepër me piano dhe Agnesa Thaqi – prezantuese.

Po ashtu, gjatë shënimit të kësaj dite të shënuar historike dhe për arsimin në përgjithësi të rajonit tonë në Komunën e Bujanocit, foli edhe drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, duke elaboruar për problemet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar arsimi shqip në këtë komunë, që nga themelimi e deri më sot.

Ndaj, në fund, drejtori i shkollës së mesme të gjithë mësuesve, të të gjitha niveleve të arsimit të shkollës shqipe, kudo që punojnë ata, ua uroi 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, në përkujtim të hapjes së Shkollës së Parë Shqipe, më 7 Mars 1887, ngase për të arritur deri te kjo ditë, janë dashur përpjekje e sakrifica të pandërprera ndër shekuj, theksoi ai, duke e përmbyllur fjalimin e tij, për rëndësinë e Ditës së Mësuesit, si Ditën më të ndritshme, e më të shenjtë të popullit tonë.

Shpërndaje në: