Shoqata e shkrimtarëve “Feniks“ në Ditën Botërore të Poezisë, mbajti një orë letrare në shkollën tonë

Feniks

Bujanoc, 21 mars – Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” të Luginës së Preshevës, në përkushtim të Ditës Botërore të Poezisë dhe pikërisht në Ditën e pranverës, mbajti të enjten një orë letrare, në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, Avni Shaqiri duke i njoftuar nxënësit e shkollës së mesme me rëndësinë e Ditës Botërore të Poezisë, falënderoi edhe nikoqiren e kësaj shkolle Adelina Bruçaj-Hasanin, kryetare e aktivit të gjuhëtarëve të shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, si dhe profesorët e aktivit të gjuhëtarëve, Feride Avdilin dhe Metali Krasniqin.

Në këtë eveniment me rëndësi poetike, morën pjesë dhe lexuan poetët e Shoqataës së Shkrimtarëve “Feniks” të Luginës, Avni Shaqiri, Halim Hasani, Nehat Ramizi dhe Tomorr Kelmendi të cilët lexuan poezitë përkushtimore për nder të Ditës Botërore të Poezisë, duke lexuar e recituar poezitë më të mira të krijimtarisë së tyre letrare dhe duke i entuziazmuar nxënësit me poezitë e bukura dhe emocionuese të tyre.

Në një atmosferë shumë të ngrohtë miqësore edhe nxënësit e shkollës sonë lexuan disa poezi të zgjedhura për nder të Ditës Botërore të Poezisë dhe Ditës së pranverës dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks, si;  Dalina Qazimi, Albin Duraku, Tuana Zahiri dhe Hazbije Shabani.

Ndërkaq, do theksuar se përmes këtij manifestimi letrar në përkushtim të Ditës Botërore të Poezisë u inkurajuan nxënësit e shkollës sonë për t’u marrë me poezi dhe krijimtari, që ata t’i afirmojnë vlerat kulturore, letrare e kombëtare.

Shpërndaje në: